Sot janë bërë 8 vite që nuk je më me ne, nënë. 8 vite pa zërin tënd, pa duart e tua të lodhura që na përqafonin, pa sytë e tu që flisnin më shumë se çdo fjalë. 8 vite dhimbje që nuk shuhet.
Ti nuk kishe jetë të lehtë, nënë… ende e re, mbete e ve, me 7 fëmijë të vegjël në duar. Baba u nda nga jeta dhe ti mbete vetëm, pa përkrahje, pa pushim, pa ndihmë – vetëm me zemrën tënde që digjej për ne. Çdo ditë punë, çdo natë lot, çdo hap i jetës sate ishte një sakrificë për ne.
Ke ngrënë bukë thatë për të na dhënë neve të ngopur. Ke qëndruar pa gjumë për t’na rritur të shëndetshëm. Ke punuar derisa duart të janë çarë, këmbët të janë lodhur, zemra të është këputur – por kurrë nuk je ankuar. Nuk ke pasur asgjë, por na dhe gjithçka. Ke vuajtur pa e treguar, ke qeshur që ne të mos qanim.
Na dhe jetë, na dhe shpirt, na dhe forcë. Ti ishe nana jonë, babai jonë, mbrojtja jonë, gjithçka që kemi pasur.
E tani që nuk je më, nuk kalon ditë pa u lutur për ty, pa të përmendur, pa ndjerë mungesën tënde. Shpirti yt jeton në ne – në çdo buzëqeshje, në çdo sukses, në çdo mall.
Prehu në paqe, nënë. Zoti të shpërbleftë për çdo vuajtje që ke kaluar. Ne të duam pa fund, dhe gjithmonë do të jesh zemra e kësaj familjeje.
Me mall të pashuar,
Fëmijët e tu